Edukimi mbi median dhe informacionin në epokën e Inteligjencës Artificiale
Ky modul synon të ndihmojë përdoruesit e internetit të kuptojnë ndikimin e Inteligjencës Artificiale në prodhimin dhe përdorimin e përmbajtjes online; të njohin algoritmet dhe paragjykimin algoritmik; të zhvillojnë sjellje të përgjegjshme për konsumimin e informacionit dhe të reflektojnë mbi përdorimin dhe keqpërdorimin e Inteligjencës Artificiale në prodhimin e përmbajtjeve mediatike.
Çfarë është Inteligjenca Artificiale?
Inteligjenca Artificiale (AI) është një fushë e teknologjisë që ndërton sisteme, të cilat imitojnë tre aftësi kryesore të njeriut: të mësuarit, të arsyetuarit dhe pasi ka bërë këto të dyja, të japë zgjidhje për një problem.
AI përdor algoritme komplekse dhe të dhëna kolosale për të trajnuar sistemet në mënyrë që ato të kryejnë detyra që zakonisht kërkojnë ndërhyrjen e njeriut. Kjo përfshin aftësinë për të analizuar të dhëna dhe për të marrë vendime bazuar në to. AI ka potencial të madh për të sjellë përparime në fusha të ndryshme, duke përfshirë shëndetësinë, financat dhe mediat.
Cilat janë përdorimet e saj në jetën e përditshme?
Rast Studimor 1
Rast Studimor 2
Algoritmet, AI në prodhimin dhe shpërndarjen e përmbajtjes online
Inteligjenca Artificiale ndihmon platformat online dhe rrjeteve sociale të kuptojnë më mirë se çfarë pëlqen dhe cila përmbajtje i intereson audiencës. Kjo teknologji nuk përdoret vetëm për të shërbyer përmbajtje që i pëlqen audiencës, por gjithashtu për të nxitur përmbajtjen që platforma dëshiron të promovojë në varësi të agjendës dhe interesave jo vetëm financiare. Shembulli i X/ Twitterit para, gjatë dhe pas zgjedhjeve Presidenciale e konfirmon këtë.
Rrjetet sociale dhe platformat online të lajmeve

Platforma si Facebook, YouTube dhe Instagram përdorin AI për të vendosur se çfarë postimesh apo lajmesh shihni në faqen tuaj të parë kur përdorni rrjetet sociale.
Më poshtë do të gjeni detaje se si funksionon dhe ku bazohet renditja e publikimeve në wall-in e rrjetit tuaj social:
- Personalizimi i përmbajtjes – Algoritmet e AI-së vëzhgojnë aktivitetet e përdoruesve, siç janë postimet që pëlqejmë, komentet që bëjmë, ose videot që shohim më gjatë. Më pas, bazuar në këto veprime, algoritmi na shfaq përmbajtje duke gjykuar se do ta pëlqejmë.
- Renditja e lajmeve – Në vend që t’i shohim të gjitha postimet në rend kronologjik (siç postohen), AI përzgjedh cilat postime të shfaqen të parat, bazuar në atë që algoritmi gjykon se do të tërheqë më shumë vëmendjen tonë.
- Moderimi i përmbajtjes – AI ndihmon edhe në heqjen e përmbajtjes problematike, si lajmet e rreme apo përmbajtjet e papërshtatshme. Kjo është për të krijuar një mjedis më të sigurt, por edhe për të na mbajtur të angazhuar dhe të kënaqur.
Analiza e konsumit të përmbajtjes nga audienca

Platformat duan të kuptojnë nëse përmbajtja është e pëlqyeshme për përdoruesit dhe AI është mjeti kryesor për ta bërë këtë:
- Monitorimi i ndërveprimeve – Çdo herë që shikojmë një postim, japim një pëlqim (like) ose komentojmë, AI regjistron këto veprime dhe i përdor për të kuptuar se çfarë na tërheq më shumë. Platforma mëson kështu si të përmirësojë përvojën tonë duke krijuar ndërkohë një identitet digjital tonin.
- Segmentimi i audiencës – Duke u bazuar në interesat dhe sjelljet e përdoruesve, AI ndan audiencën në grupe me preferenca të ngjashme. Kështu, ne dhe njerëz të tjerë me shije të ngjashme me tonat shohim më shumë përmbajtje nga ajo që na pëlqen, kurse grupe të tjera shohin më shumë përmbajtje të tjera që atyre u pëlqen.
- Parashikimi i interesit – Platformat përdorin AI për të parashikuar se si mund të reagojmë ndaj postimeve të reja. Në këtë mënyrë, ajo vendos se çfarë përmbajtjeje të nxjerrë më shumë në wall-in tonë.
Bërja virale e përmbajtjeve në rrjetet sociale

Platformat dhe krijuesit e përmbajtjes synojnë që postimet e tyre të bëhen virale, që do të thotë të shpërndahen shumë dhe të tërheqin shumë ndërveprues, e cila përkthehet në më tepër reach dhe sigurisht të ardhura/ ndikim.
Si ndihmon AI në këtë proces:
- Analiza e përmbajtjes së pëlqyer – AI analizon në kohë rekord se çfarë postimesh tërheqin më shumë përdoruesit në varësi të reagimeve të tyre dhe përpiqet të gjejë se çfarë i bën ato të veçanta (p.sh., tema, momenti i shpërndarjes apo mënyra e paraqitjes). Platforma mund të sugjerojë përmbajtje të ngjashme që gjykon se mund të bëhet virale.
- Identifikimi i trendeve – Algoritmet e AI-së janë të afta të zbulojnë tema të reja ose trende që janë në rritje. Kjo i ndihmon krijuesit dhe platformat të promovojnë përmbajtje që është aktuale dhe interesante për shumicën e përdoruesve.
- Publikimi në momentin e duhur – AI analizon të dhënat e audiencës për të përcaktuar kohën më të mirë për të publikuar përmbajtjen, që të arrijë sa më shumë njerëz dhe të ketë më shumë gjasa të bëhet virale. Përmbajtjet e shpërndara gjatë fashës së orarit 19:00-22:00 kanë më shumë gjasa të bëhen virale.
Kurthet e algoritmeve

Përdorimi i AI dhe algoritmeve nga platformat e rrjeteve sociale si edhe ato online sjellin një mori përmirësimesh në drejtim të eksperiencës tonë si përdorues të tyre. Megjithatë të gjitha këto vijnë me një rrezik të madh për ne dhe shoqërinë, nëse nuk kuptojmë mënyrën se si funksionojnë ato.
Problemi më i madh shfaqet gjatë personalizimit të përmbajtjes, ku algoritmet na shënjestrojnë duke marrë parasysh sjelljen tonë online. Kështu, nëse ne kemi ndërvepruar me lajme që mbështesin ose kundërshtojnë vaksinimin, ka shumë gjasa që platformat përmes algoritmeve të na shfaqin vazhdimisht përmbajtje të tilla duke bërë që të forcojmë idetë tona pro apo kundër vaksinave duke na penguar ndërkohë ndaj pikëpamjeve të tjera të ndryshme.
Kjo dukuri është “flluskë informacioni,” e quajtur ndryshe edhe “dhoma jehone,” pasi dëgjohet vetëm zëri ynë. Ajo krijohet nga algoritmet dhe përbën një rrezik të madh kur aplikohet në masë mbi një numër të madh qytetarësh, pasi pengon informimin përmes burimeve të ndryshme të informacionit. Një shoqëri/ grup njerëzish i painformuar merr vendime të gabuara.

Problematikat gjatë prodhimit dhe shpërndarjes së përmbajtjes medatike me AI
Paragjykimet e AI në prodhimin e përmbajtjes mediatike

AI mund të ketë paragjykime që ndikojnë në përmbajtjen që na shfaq, të cilat paraqesin informacion/ide apo qendrime që nuk janë të vërteta dhe cënojnë parimet, mbi të cilat funksionojnë shoqëritë e përparuara:
- Paragjykime racore:AI mund të trajtojë ndryshe persona nga raca të ndryshme bazuar në të dhënat e kompromentuara ku mund të jetë bazuar, duke i promovuar një racë kundrejt një tjetre apo një kulturë kundrejt një tjetre. Kjo mund të nënkuptojë se disa kultura ose njerëz nuk përfaqësohen si duhet në përmbajtjet mediatike të prodhuara nga AI.
- Paragjykime gjinore:Disa sisteme të AI-së mund të përforcojnë stereotipe gjinore, duke i portretizuar gratë dhe burrat në role tradicionale, si për shembull gratë si shtëpiake dhe burrat në pozita profesionale më të forta.
- Paragjykimet politike:Përmbajtja e rekomanduar mund të jetë e ndikuar nga një këndvështrim politik, duke promovuar ose favorizuar ide të caktuara dhe duke shpërfillur ide të tjera.
Rast Studimor 3
Mbytja e zërave të margjinalizuar për shkak të mënyrës si analizon dhe riprodhon përmbajtjen AI

Kur platformat e AI prodhojnë përmbatje, ato mbështeten kryesisht në të dhëna që gjenden me shumicë online apo që janë më të popullarizuara aty.
Rrjedhimisht, kjo mund të bëjë që mendimet dhe përvojat e grupeve të margjinalizuara të mos dalin në pah, pasi AI mund t’i promovojë më pak ato. Në këtë mënyrë, disa ide që mund të jenë të rëndësishme mund të mbesin pa u dëgjuar apo të nënvlerësuara.
Reduktimi i diversitetit kulturor në rang rajonal dhe global

Përmbajtja që prodhohet nga AI rrjedh kryesisht nga zhvillime apo çështje që janë të popullarizuara në shkallë botërore duke bërë që kultura të ndryshme lokale të mbeten në hije. Uniformizimi është një ndër rreziqet e tjera që përballemi gjatë prodhimit të përmbajtjes me AI.
Kjo bën që traditat dhe perspektiva të ndryshme nga kultura të ndryshme të shfaqen pak ose aspak, duke bërë që diversiteti kulturor të mpaket.
Rast Studimor 4
Krijimi i përmbajtjes së gjeneruar nga AI
Analiza e përmbajtjes së gjeneruar nga AI:
Si të dallojmë një tekst të gjeneruar me AI nga ai i gjeneruar nga njeriu:
element

Struktura dhe qartësia e ideve
- Tekstet e AI shpesh ndjekin një strukturë të qëndrueshme dhe shumë lineare. Në këto tekste mund të gjeni pak nuanca apo kreativitet.
- Tekstet e shkruajtura nga njeriu janë më të larmishme në strukturë dhe shpesh përmbajnë mendime të thella ose referenca kontekstuale që pasqyrojnë përvojën apo personalitetin e personit që e ka shkruar.
Përdorimi i gjuhës dhe frazeologjia
- Platformat AI priren të përdorin fraza të zakonshme dhe struktura standarde që shpesh janë neutrale ose të formuluara në mënyrë të parashikueshme. Ato priren të përdorin fjalë dhe fraza që janë të ngurta, pa emocione apo shprehje figurative.
- Ndërkohë në tekstet e shkruajtura nga njerëzit gjenden fraza unike, zhargone, idioma, dhe shpesh sjellin një stil të veçantë që përmban ndjenjë, ironi, ose një këndvështrim autentik.
Origjinaliteti dhe kreativiteti
- AI shpesh është e kufizuar në përmbledhjen dhe riprodhimin e informacionit të gjendur online ose nga të dhënat e saj. Për këtë arsye, informacioni i prodhuar nga AI mund të përsëritet. Tekstet e AI janë kryesisht monotone.
- Njerëzit krijojnë ide të reja dhe kanë qasje origjinale që mund të reflektojnë një përvojë të drejtpërdrejtë, emocione dhe shpesh arrijnë të formulojnë mendime që janë të reja apo të papritura.
Koherenca dhe korrektësia kontekstuale
- AI ndonjëherë përfshin gabime kontekstuale ose logjike, duke përdorur terma që nuk lidhen mirë me njëri-tjetrin në kontekst. Për shembull, kur përshkruan një film, AI mund të ngatërrojë detaje nga personazhet apo ngjarjet.
- Njerëzit janë kontekstualë, sidomos për tema që kërkojnë referenca kulturore ose një njohuri më të hollë të detajeve, dhe ka më pak gjasa të bëjnë gabime të dukshme logjike.
Pasaktësi, por siguri në fakte
- Tekstet e AI mund të përmbajnë pasaktësi të shprehura me siguri edhe për informacionet e pasakta, pasi AI (ende) nuk ka një mënyrë për të verifikuar faktet përtej bazës së saj të të dhënave.
- Ndërkohë, njerëzit priren të jenë më të kujdesshëm me deklaratat, sidomos kur janë të pasigurt, dhe shpesh përfshijnë fraza si “mendoj se,” “ka gjasa,” ose “mund të jetë kështu,” kur nuk janë të sigurt.
Ndjeshmëria ndaj emocioneve dhe ironisë
- AI ka vështirësi në kuptimin e ironisë ose sarkazmës, i merr ato të mirëqëna dhe zakonisht prodhon tekste që janë të drejtpërdrejta, pa emocione dhe pa humor apo nënkuptime.
- Njerëzit janë në gjendje të krijojnë dhe të interpretojnë nënkuptime, humor, sarkazëm, dhe nuanca emocionale që janë të vështira për AI që t’i riprodhojë në mënyrë autentike.
E gjitha ajo që treguam më sipër është një përdorim për qëllime të mira të platformave të Inteligjencës Artificiale, por le të ndalemi pak dhe të mësojmë se si të dallojmë imazhet apo tekstet e prodhuara nga AI për qëllime jo të mira.
Si të dallojmë foto/video të prodhuara me AI

Detajet e vogla dhe konsistenca vizuale
- Imazhet/videot e prodhuara nga AI mund të kenë detaje që nuk janë konsistente, sidomos në imazhet e gjeneruara nga AI ku mund të vihen re gabime të tilla si gishtat apo veshët e shtrembëruar, përmasa jo të sakta të objekteve, ose detaje të paplota në sfond (si struktura të pazakonta në ndërtesa apo objekte që nuk lidhen mirë me kontekstin).
- Imazhet/videot e prodhuara nga njerëzit zakonisht kanë detaje të sakta dhe të përpikta në formë, me elemente konsistente dhe reale në çdo aspekt të imazhit apo videos. Njerëzit janë në gjendje të kapin dhe të përfshijnë çdo detaj të vogël në mënyrë logjike.
Emocionet
- AI shpesh ka vështirësi në riprodhimin e emocioneve njerëzore me të gjitha nuancat e tyre. Prandaj, fytyrat e njerëzve në fotot e prodhuara mund të duken të ngrira ose të “shpërqëndruara” dhe sytë mund të kenë një pamje “të përhumbur”.
- Njerëzit zakonisht kapin emocione komplekse, si edhe detaje të vogla që përputhen me ndjenjat e momentit, duke përfshirë shprehje natyrale të fytyrës, përqendrim të saktë në sy, dhe emocione të tjera që janë të dallueshme.
Ndriçimi dhe hijet
- Imazhet/videot e AI mund të kenë shpesh ndriçim ose hije jo të natyrshme me kontekstin e materialit. AI ndonjëherë ngatërron burimin e dritës ose lë hijet në forma që nuk përputhen me imazhin apo me drejtimin natyral të dritës.
- Fotot/videot e bëra nga njerëzit kanë ndriçim dhe hije që janë më të natyrshme dhe që përputhen me burimin e dritës në një ambient specifik.
Prania e elementeve të çuditshëm ose të përsëritur
- AI shpesh përfshin elementë apo struktura të pazakonta që nuk ekzistojnë në realitet ose ka prirjen të përsërisë detaje (si për shembull, duke vendosur dy ose më shumë objekte identike).
- Imazhet/videot e prodhuara nga njerëzit kanë tendencë të kenë elemente të natyrshme dhe jo të përsëritura në mënyrë të paarsyeshme.
Lëvizjet e trupit dhe shprehitë e fytyrës në videot e AI
- Videot e AI ndonjëherë kanë lëvizje të panatyrshme dhe që nuk kanë lidhje me kontekstin e videos dhe sfondit. Ndriçimi dhe kontrasti shpesh ndryshon pa vazhdimësi në skena të ndryshme.
- Videot e prodhuara nga njerëzit kanë lëvizje të qeta dhe të natyrshme, përfshirë lëvizjen e trupave në përputhje me gravitetin, dhe ndriçimi përshtatet në mënyrë natyrale me skenën.
Ndjenjat dhe përshtypja
- Imazhet/videot e AI mund të lënë ndonjëherë përshtypjen se janë të “shkëputura” nga realiteti. Njerëzit shpesh e ndiejnë këtë me intuitë, veçanërisht kur një skenë duket tepër perfekte.
- Imazhet/videot e prodhuara nga njerëzit kanë gjithmonë elementë të papërsosshmërisë apo diçka të papritur dhe të lenë përshtypjen e një përmbajtjeje më organike.
Në rastet kur keni dyshime se një imazh është prodhuar me AI dhe kjo nuk është shënuar nga media apo ai që e ka publikuar, atëhere mund të përdoni për verifikim mjetet e shpjeguara në kapitujt e mëparshëm.

Moduli 1: Edukimi per Median dhe Informacionin

Moduli 2: Edukimi mbi median dhe informacionin dhe të menduarit kritik

Moduli 3: Kërkimi, Shqyrtimi dhe Verifikimi i Informacioni
