Kërkimi, Shqyrtimi dhe Verifikimi i Informacionit
Ky modul përqendrohet tek njohuritë dhe aftësitë që ofron Edukimi për Median dhe Informacionin (EMI) për kërkimin, shqyrtimin, vlerësimin dhe verifikimin e informacionit.
Çështjet Kryesore
Shqyrtimi dhe vlerësimi i informacionit
Shqyrtimi dhe vlerësimi kritik i informacioni është mjaft i rëndësishëm në procesin e EMI. Të jesh në gjendje të vlerësosh përmbajtjen e një informacioni nuk është aftësi e thjeshtë; përkundrazi, vlerësimi kritik i tij mbështetet në një numër të konsiderueshëm njohurish. Në këtë realitet të prodhimit të informacionit që ndryshon me shpejtësi, ndërgjegjësimi i audiencave apo i përdoruesve për të vlerësuar apo vënë në dyshim autoritetin, objektivitetin ose cilësinë e njohurive të ndërmjetësuara bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.
Kontrolli dhe verifikimi i fakteve
Në epokën e sotme digjitale, fact-checking është pasuruar me mjete dhe mënyra të reja që mund të shkurtojnë kohën si dhe mund të lehtësojnë procesin. Programe të ndryshme e kanë bërë më të lehtë lidhjen dhe komunikimin me burimet si dhe verifikimin e fakteve të llojeve të ndryshme. Përmes aplikacioneve apo platformave të internetit ne sot mund të verifikojmë më me lehtësi burimin e fotografive apo të videove, të aksesojmë harta apo vende, të ballafaqojmë të dhëna, të verifikojmë autenticitetin e botimeve të ndryshme, etj.
SHQYRTIMI DHE VLERËSIMI I INFORMACIONIT
Kriteret e zakonshme të vlerësimit të një informacioni përfshijnë: qëllimin dhe audiencën e synuar, autorësinë dhe reputacionin, saktësinë dhe besueshmërinë, përkatësinë kohore dhe afatin kohor si dhe objektivitetin apo shkallën e njëanshmërisë. Secili prej këtyre kritereve shpjegohet më në detaje në vijim:
Qëllimi dhe audienca e synuar

Cili është qëllimi i informacionit? Për shembull:
- Për të dhënë informacion (p.sh., lajme mediash)
- Për të bindur ose mbrojtur një pikëpamje apo një ide (p.sh., editoriale ose opinione)
- Për të argëtuar (p.sh., një video virale)
- Për të shitur një produkt ose shërbim (p.sh., materiale reklamimi ose marketingu në faqen e internetit të kompanisë)
Kur njerëzit shkruajnë artikuj, punime, etj., ata gjithmonë synojnë një audiencë specifike. Kush është audienca e synuar? Për shembull:
- Studiuesit dhe akademikët me njohuri të specializuara
- Publiku i gjerë (pa njohuri të specializuara)
- Nxënësit e shkollave të mesme, apo studentët e universitetit.
- Një segment i shoqërisë i përkufizuar sipas gjinisë, besimit fetar, moshës, lokalizimit, etj.
Autorësia dhe reputacioni

Kur përballemi me një informacion, është e rëndësishme të dimë se nga vjen informacioni dhe nga kush është shkruar si dhe të kemi të dhëna sa më të plota për autorin. Në këtë kontekst është e domosdoshme që t’iu japim përgjigje pyetjeve të mëposhtme:
Kush është autori?
- A është një person apo një robot i inteligjencës artificiale?
- Cilat janë kualifikimet e autorit?
- Cili është profesioni, përvoja apo formimi i autorit?
- A ka autori ndonjë ekspertizë tematike? Çfarë ka botuar tjetër autori, veçanërisht në të njëjtën fushë?
- A përfaqëson autori institucione apo organizata të tilla, si: universitetet, agjencitë qeveritare, organizatat jofitimprurëse ose korporatat?
- A është autori në ndonjë mënyrë i njëanshëm apo i ndikuar?
- A është përmbajtja e verifikuar apo e rishikuar në ndonjë mënyrë?
Kush është botuesi?
- Për librat – a është botues universitar apo botues komercial? Këta lloj botuesish përdorin redaktorë për të siguruar një botim cilësor.
- Për revistat apo botimet shkencore – a mund të informohemi nëse është e njohur apo me profil shkencor? A përdor sistemin e peer-review për vlerësimin? A është e rankuar në platformat ndërkombëtare?
- Për mediat – A është media e njohur dhe me reputacion, apo është një faqe e padëgjuar më parë?
- Për faqet e internetit – Është një faqe interneti e mediave profesioniste, një profil individual apo një blog personal?
- Çfarë botimesh të tjera ka ky botues?
- Cili është reputacioni i botuesit, prodhuesit apo distributorit?
Saktësia dhe besueshmëria

- A është informacioni rezultat i ndonjë hulumtimi apo investigimi?
- A ka referenca (p.sh., citate, footnotes ose një bibliografi) për burimet, që të ofrojnë prova për pretendimet e bëra?
- Nëse burimi përfshin fakte ose të dhëna statistikore, a mund të verifikohet ky informacion në një burim tjetër?
- Nëse të dhënat janë mbledhur duke përdorur kërkime origjinale (si sondazhet ose anketat), cila ishte metoda e mbledhjes së të dhënave? A e ka konsideruar autori vlefshmërinë ose besueshmërinë e të dhënave?
Objektiviteti ose njëanshmëria

- A përmban burimi mendime dhe opinione apo bazohet në fakte?
- Informacioni i paraqitur në burim është objektiv (i paanshëm) apo subjektiv (i njëanshëm)?
- A promovon informacioni një axhendë politike, fetare apo sociale?
- A është etiketuar qartë përmbajtja reklamuese (zakonisht e gjetur në revistat ose gazetat e biznesit)?
Përkatësia kohore dhe afati kohor

Përkatësia kohore përcakton moshën e informacionit. Nëse detyra juaj ka të bëjë me historinë, atëherë me siguri do të kërkoni materiale më të vjetra dhe aktualiteti nuk do të jetë aq i rëndësishëm për ju. Nëse informacioni që kërkoni është një lajm për aktualitetin, atëherë patjetër që data e botimit duhet të jetë sa më e vonë. Në këtë kontekst është e rëndësishme t’i përgjigjemi pyetjes:
Kur u botua informacioni?
- Për libra dhe artikuj – duhet të jeni në gjendje të verifikoni lehtësisht datën e botimit.
- Për faqet e internetit, përpiquni të përcaktoni datën kur u krijua ose u përditësua faqja e internetit.
- A kërkohet informacion aktual? Nëse jo, atëherë informacioni i saktë, por historik, mund të jetë ende i pranueshëm.
- A përditësohen vazhdimisht informacionet në këtë fushë dhe a po parashtrohen ide të reja?

Sfida të reja për informimin dhe lajmin
Për dekada me radhë, mediat tradicionale si gazetat, radiot dhe televizionet kanë qenë burimi standard i informacionit, duke raportuar për lajmet nëpërmjet procesit të zbulimit dhe verifikimit të informacionit. Gazetarët përdorën një sërë vlerash lajmesh për të përcaktuar se çfarë ishte dhe çfarë nuk ishte lajm. Sa i përket mbledhjes së informacionit mbi një histori, në një situatë ideale dhe rutinë të përditshme gazetarët supozohen të ndjekin formulën e bërjes së gjashtë pyetjeve: Kush? Çfarë? Ku? Kur? Pse? Si? Kjo ka qenë për shumë vite praktika e punës së gazetarëve dhe mënyra se si është informuar publiku.
Ndryshe nga përdoruesit e mediave tradicionale, lexuesit dhe shikuesit e sotëm mund të kenë akses në vëllime të mëdha të përmbajtjes kudo dhe në çdo kohë falë pajisjeve të tyre celulare. Lindja e mediave online dhe rrjeteve sociale ka sjellë edhe një përmbysje të modelit të informimit, por edhe ka krijuar sfida të reja për gazetarët, duke vënë në pikëpyetje autoritetin e tyre nga njëra anë, por edhe cilësinë e informimit të qytetarëve dhe vendimmarrjen e tyre nga ana tjetër.
Probleme dhe fenomene të ndryshme që mund të shfaqen në kuadrin e informimit të publikut:


Teoritë e konspiracionit
Përhapja e internetit dhe masivizimi i mediave të reja duket se i dha një hov të ri edhe përhapjes dhe shtimit të teorive konspiracioniste. Cilat janë tiparet që i dallojnë këto teori?
- Teoritë e konspiracionit shpesh fillojnë thjesht si një përpjekje për të shpjeguar realitetin bazuar në prova jo të plota. Megjithatë, ato rriten dhe mbijetojnë sepse plotësojnë disa nevoja që ne kemi: të rrisim fuqinë, të shmangim fajin, t’i japim botës njëfarë kuptimi.
- Për t’u quajtur teori konspirative, një informacioni nuk i duhet medoemos të ketë një shpjegim plotësisht të përpunuar për çdo detaj: shumë prej tyre, në të vërtetë, nuk e kanë. Por ai duhet të propozojë një lloj leximi alternativ, të lidhur, të fakteve. Si qenie njerëzore ne shpesh na pëlqen të zbulojmë gjëra që nuk duhej t’i dinim dhe shtysa për të zbuluar informacione nga prapaskenat e ngjarjeve është një mënyrë e sigurt për t’i bërë njerëzit të na kushtojnë vëmendje.
- Komplotet rreth ngjarjeve janë forma bazë e teorisë së konspiracionit – një përpjekje për të shpjeguar një ngjarje të vetme, ose një seri ngjarjesh të lidhura ngushtë, duke vendosur një komplot të fshehtë si shkakun e vërtetë të tyre. Për konspiracionistët gjithçka rreth botës mund të kuptohet dhe shpjegohet vetëm duke iu referuar këtij rrjeti komplotesh. Për ta komploti është forca dërrmuese lëvizëse që i jep formë botës, dhe pothuajse çdo person apo institucion mund të dyshohet se, në një farë mënyre, është pjesë e tij.
- Problemi me teoritë e konspiracionit është se shpesh nuk është e mundur të provohet falsiteti i tyre. Pretendimi i konspiracionistit nuk mund të provohet sepse ndodh që faktet mbulohen, ose provat janë fshehur apo manipuluar.
- Përpjekjet për të argumentuar se nuk ka fakte që po mbulohen, thjesht shërbejnë për t’i provuar konspiracionistit nivelin e lartë të mbulimit që po ndodh. Teoritë e konspiracionit ushqejnë besimet tona, por nuk sjellin fakte mbi tavolinë.
- Konspiracionet duket se u përshtaten atyre që ndihen të shkëputur nga shoqëria, që janë të pakënaqur me rrethanat e tyre, që zotërojnë një botëkuptim subjektiv që përfshin besime, përvoja dhe mendime të pazakonta, dhe atyre që ndjejnë se nuk kanë kontroll mbi jetën e tyre.
EMI i ka të gjitha kapacitetet jo vetëm për të ndriçuar, por edhe për të ndalur apo minimizuar përhapjen e këtij spektri të dëmshëm informativ.
Pyetje para kuizit:
KONTROLLI DHE VERIFIKIMI I FAKTEVE DHE I INFORMACIONIT
Shpesh vihet re një paqartësi në lidhje me atë çfarë është fakti. Ndodh shpesh që opinionet ose perceptimet në fakt shiten për fakte, me ose pa qëllim.
Ka një ndryshim thelbësor: fakti i referohet një informacioni që provohet nga të dhënat, dëshmitë, dokumentat. Opinioni është mendimi që ka dikush për një person apo dukuri të caktuar dhe jo patjetër bazohet në fakte.
Kontrolli dhe verifikimi i fakteve (anglisht: fact-checking) është procesi i verifikimit të saktësisë dhe vërtetësisë së informacionit, pretendimeve ose deklaratave. Ai përfshin mbledhjen e provave, ekzaminimin e burimeve dhe ballafaqimin e informacionit me faktet e vërtetuara ose referencat e besueshme për të përcaktuar vlefshmërinë e tij.
Fact-checking si pjesë e punës së gazetarëve
Fact-checking si praktikë e gazetarisë ka një histori gati një shekullore.
Si proces dhe në varësi të kohës kur realizohet, kontrolli i fakteve është dy llojesh:
- Fact-checking përpara botimit apo transmetimit të një përmbajtjeje
- Fact-checking pas botimit apo transmetimit të një përmbajtjeje
Detyrë e kujt është fact-checking në një redaksi?

Shumë nga mediat më të mëdha botërore kanë punësuar në redaksi staf më vete për këtë qëllim.
Por fact-checking është edhe pjesë e praktikës së përditshme editoriale, ku gazetari mund të aplikojë fact-checking jo vetëm për përmbajtjen e krijuar prej tij por edhe për përmbajtjen e krijuar nga të tjerët.
Në Shqipëri ka një organizatë që ka qëllimin kryesor të saj verifikimin e fakteve, sidomos në lidhje me deklarata të zyrtarëve publikë dhe politikanëve, Faktoje.al. Po kështu, ka edhe organizata me organizim rajonal në Ballkan, Europë, e më gjerë, përveç organizatave fact-checking në secalin vend. Gjithsesi, verifikimi i fakteve është praktika bazë e çdo gazetari në redaksi, përtej popullarizimit të termit në periudhën e fundit.
Fact-checking si nevojë dhe detyrë për çdo qytetar që konsumon informacion
Në ditët e sotme nuk mund të pritet që vetëm verifikuesit e fakteve të luftojnë dezinformimin. EMI synon të nxisë të gjithë shoqërinë që të fillojë të luftojë dezinformimin duke zhvilluar mendimin kritik dhe kontrollin e fakteve si një sjellje e natyrshme dhe rutinë, sidomos në internet.
Çfarë mund të kontrollojmë dhe si mund ta kontrollojmë
Çfarë mund të kontrollojmë? Përgjigjja do të mund të ishte: pothuajse gjithçka. Gjithçka rreth ngjarjeve, personave të përfshirë, të dhënave, përshkrimit, kontekstit, etj. Ja një listë e gjërave që mund të bëhen objekt i kontrollit dhe verifikimit të fakteve
- Emrat dhe emërtimet (për njerëz, vende, etj.)
- Përshkrimi fizik i njerëzve, vendeve dhe gjërave
- Datat
- Mosha
- Citimet
- Numrat
- Matjet dhe konvertimet
- Lokalizimet gjeografike dhë përshkrimet e tyre
- Shpjegimet shkencore dhe teknike
- Titujt, gradat, funksionet, përshkrimet e punës, përkatësitë
- Detajet e produkteve, përfshi çmimet, specifikimet, dhe përshkrimet
- Citatet nga filmat apo nga mediat
- Citimet historike apo ngjarjet historike, madje edhe ato që konsiderohen gjerësisht si të mirënjohura
- Ilustrimet dhe fotot, përfshi edhe diçiturat
- Përkufizimet dhe zgjedhjet e fjalëve
- Argumentet mbizotëruese
- Madje edhe gjërat që ju mund t’i keni kontrolluar një javë më parë
- Madje edhe gjërat që ju mendoni se i dini si të vërteta.
Kontrolli dhe verifikimi i numrave

Në radhë të parë ndërmerret përpjekja për të shkuar deri në burimin fundor të tyre.
Më pas ky burim i nënshtrohet një analize të detajuar. A janë marrë numrat nga një databazë apo dokument i besueshëm? Kush i ka gjeneruar këto numra? Janë të dhëna të vetë institucionit që i publikon apo janë gjeneruar nga institucione të tjera, dhe në këtë rast institucioni që i publikon nuk është burimi primar?
Më tej, numrat e një institucioni mund të ballafaqohen me të dhënat e ndonjë institucioni të besueshëm ndërkombëtar, si përshembull, OKB, Banka Botërore, UNICEF, Organizata Botërore e Shëndetësisë, Eurostat, etj. Një lloj ballafaqimi mund të bëhet edhe me raportimin e mediave të tjera serioze, për të parë nëse ato raportojnë për të njëjtat numra apo ka ndryshim mes tyre dhe të dhënave tuaja.
Kontrolli dhe verifikimi i fotografive dhe videove

Prania e shtuar e imazheve, fotografive, ilustrimeve, infografikave dhe videove në botën e informacionit, e ka bërë edhe më të domosdoshëm kontrollin dhe verifikimin e tyre. Aspektet kryesore të kontrollit të aplikuar tek fotografitë dhe videot përfshijnë:
a.Verifikimin e origjinës dhe të autorit
b.Verifikimin e vendit, datës dhe kohës kur është bërë fotografia apo videoja
c.Konfirmimin e faktit se në foto apo video gjenden njerëzit, gjërat apo vendet që përshkruhen
d.Verifikimin e lejes së autorit për botim
Fotografitë apo videot vijnë nga shumë burime: mund të vijnë nga agjensi prestigjioze por mund të vijnë edhe nga interneti dhe rrjetet sociale. Këto të fundit janë shumë më të ekspozuara ndaj manipulimit.
Verifikimi i emrave, titujve, funksioneve, përkatësisë, moshës

Për çdo emër që lidhet me një ngjarje apo zhvillim dhe që keni menduar ta përfshini në shkrim, do të duhet të aplikoni një kontroll të dy-apo-trefishtë. Ja disa rekomandime për kontrollin e emrave:
- Kur gjeni apo kur ju jepet një emër mos u mjaftoni vetëm me prezantimin e parë apo me atë që shikoni në një kartvizitë. Konfirmojeni emrin edhe nga burime të tjera, nga dokumente legale, nga rekordet publike, si përshembull listat e gjendjes civile apo listat e zgjedhësve, etj.
- Mos i besoni kujtesës suaj. Pyesni edhe të tjerë për emrin dhe mbiemrin e saktë të një personi.
- Bëni një kërkim në internet për ta parë llogaritë e mediave sociale apo materialet me të cilat lidhet një emër i caktuar. Sa më pak të dhëna të gjeni në internet për një person, aq më i domosdoshëm bëhet verifikimi për të. Nëse tek profilet e një personi në Facebook, Instagram apo në LinkedIn gjeni shenjën e verifikimit √ si në figurë (shenjë për “Verified Account” apo “Verified Page”) shtohen gjasat që të keni arritur tek personi i vërtetë.
- Bëni kujdes të ndani personin që keni si subjekt apo objekt të shkrimit nga personat e tjerë me të njëjtin emër.
- Përdorni kur duhet aplikacionet e kërkimit për njerëzit në internet si Pipl.com, WebMii, Spokeo, etj.
- Saktësoni titujt shkencorë apo funksionin e personit që mund ta citoni apo investigoni.
- Bëni kujdes me përkatësinë etnike, fetare, gjjinore, etj. të një personi.
Verfikimi i citimeve apo i perifrazimeve.

Citimet apo perifrazimet mund të jenë shpesh objekt i manipulimit, nxjerrjes jashtë kontekstit apo deformimit, duke cënuar kështu objektivitetin e një raportimi dhe duke krijuar probleme mes personave të cituar dhe medias.
Ja disa rekomandime që mund të vlejnë për kontrollin e citimeve apo të perifrazimeve:
- Verifikoni më shumë se dy herë me origjinalin citatin apo citimin që mendoni të botoni.
- Që të mos mohohen më vonë fjalët e cituara, regjistroni në audio apo video intervistat që realizoni. Një rrugë e mirë që ofron saktësi është edhe intervista me shkrim e realizuar përmes e-maili-it. Mos përdorni chat-in apo messenger për intervista.
- Zbardhni në tekst intervistat në audio apo video. Verifikoni fjalët që mund të mos dëgjohen mirë, qoftë edhe duke u rilidhur me të intervistuarin.
- Bëni kujdes që fjalët apo fjalitë e cituara të mos dalin jashtë kontekstit. Nëse gjeni një citat në një media tjetër dhe doni ta botoni edhe ju, duhet që më përpara ta gjeni vetë ligjëratën, intervistën apo materialin e plotë, për t’u siguruar që fjalët janë të njëjta dhe nuk janë nxjerrë nga konteksti.
- Mos citoni qorrazi. Verifikoni edhe faktet apo deklarimet brenda citimit. Përshembull, kur dikush deklaron që ka takuar një personalitet të njohur shumë vite më parë, verifikojeni këtë deklaratë, pasi mund të ndodhë që ky personalitet të ketë vdekur përpara se i intervistuari të lindte.
- Kujdes me citimet historike nga ngjarjet e së kaluarës, madje edhe me ato që konsiderohen gjerësisht si të vërteta. Shkoni tek burimi primar për të qenë të sigurtë.
Verifikimi i lokalizimit

Faktet që lidhen me lokalizimin, janë një fushë tjetër kontrolli gjatë procesit të fact-checking. Ka raste kur në media gabohet me lokalizimin e një ngjarjeje apo konstatohet një mungesë e orientimit apo e njohurive gjeografike nga ana e gazetarëve.
Në kohën e sotme, një ndihmë e konsiderueshme për verifikimin e lokalizimit mund të merret edhe nga aplikacionet, platformat apo mjetet e disponueshme në internet si Google Maps, Google Earth Pro, Google Street View, Wikimapia, etj., të cilat janë mjete të dobishme që mund të konsultohen për lokalizimin. Ndërkohë disa prej mediave sociale si Instagram, Facebook, Flickr, Picasa dhe Twitter ofrojnë gjeolokalizim automatik të personave, që mund të provojë se ku ndodhej një person në një ditë të caktuar, duke u bazuar tek aktiviteti i tij në këto rrjete sociale.

Moduli 1: Edukimi per Median dhe Informacionin

Moduli 2: Edukimi mbi median dhe informacionin dhe të menduarit kritik

Moduli 4: Qytetaria Digjitale dhe Siguria Online
