Rreth nesh
Edukimi për Median dhe Informacionin – Kurs i hapur online
Kursi i hapur online (MOOC) i Edukimit për Median dhe Informacionin (EMI) është krijuar për të pajisur studentët dhe çdo njeri që e kryen kursin me aftësitë dhe njohuritë bazë për median dhe informacionin.
Në peizazhin kompleks informativ që na rrethon, qoftë tradicional, apo online, lind nevoja ta gjykojmë informacionin me sy kritik, por edhe të lundrojmë në këtë mjedis në mënyrë efektive, të sigurt dhe të zgjuar.
Ky kurs interaktiv online përpiqet t’u japë studentëve instrumentet për të analizuar në mënyrë kritike mesazhet e medias, për të vlerësuar burimet e informacionit, për t’u bërë qytetarë dixhitalë të përgjegjshëm, si dhe për të përdorur instrumentat bazë të Inteligjencës Artificiale në mënyrë të përgjegjshme.
Kursi përmban pesë module:
- Hyrje në Edukimin për median dhe informacionin
- Edukimi mbi median dhe informacionin dhe të menduarit kritik
- Kërkimi, shqyrtimi dhe vlerësimi i informacionit
- Qytetaria digjitale dhe siguria online
- Edukimi për median dhe informacionin në epokën e Inteligjencës Artificiale
Modulet janë një këndvështrim i gjerë i fenomeneve kryesore dhe njohurive bazë që çdo qytetar është mirë të ketë rreth informacionit, medias, verifikimit të informacionit, sjelljes online dhe Inteligjencës Artificiale. Në fund të çdo moduli gjendet dhe një kuiz që teston aftësitë e fituara, si dhe mundësia për të marrë certifikatën për përfundimin e modulit.
Kursi nuk është planifikuar vetëm për studentë, por për çdo njeri që dëshiron të mësojë më shumë për median, informacionin, peizazhin dhe sigurinë dixhitale, në formë të përmbledhur, por duke cekur njohuritë bazë. Po kështu, MOOC është dhe një mënyrë e mirë për të testuar aftësitë tuaja në njohuritë e Edukimit për Median dhe Informacionin.
Kursi është krijuar si pjesë e projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin në Universitetet Shqiptare: Nga pilotimi në zbatim,” të zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias, me mbështetjen financiare të Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun të Ambasadës Amerikane në Shqipëri. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë kurs janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.