Qytetaria digjitale dhe siguria online
Ky modul synon t’ju mësojë parimet thelbësore të qytetarisë digjitale dhe sigurisë duke u fokusuar në mbrojtjen e privatësisë, sigurinë kibernetike, sjelljen e përgjegjshme digjitale dhe përfshirjen në rrjetet sociale dhe komunitetet online. Pjesëmarrësit do të mësojnë si të lundrojnë në botën digjitale në mënyrë të sigurtë, si të mbrojnë privatësinë e tyre dhe si të kontribuojnë në një mjedis online pozitiv dhe të shëndetshëm.
Çfarë është qytetaria digjitale?

Qytetaria digjitale i referohet përdorimit të përgjegjshëm dhe etik të teknologjisë për të marrë pjesë në shoqëri, politikë dhe platforma të ndryshme online. Kjo përfshin sjellje të tilla si respektimi i të tjerëve, mbrojtja e informacionit personal dhe kuptimi i të drejtave dhe përgjegjësive digjitale.
Pse siguria online ka rëndësi në epokën digjitale?

Ndërsa teknologjia bëhet më e integruar në jetën e përditshme, rreziqet që lidhen me aktivitetet online gjithashtu rriten. Kuptimi i sigurisë online ndihmon në parandalimin e kërcënimeve si shkeljet e të dhënave, vjedhja e identitetit dhe ekspozimi ndaj përmbajtjes së dëmshme. Ky modul do të udhëzojë pjesëmarrësit mbi bazat e mbrojtjes së tyre online.
Lidhja midis qytetarisë digjitale dhe sjelljes etike?

Ashtu si pritet një sjellje e mirë në komunitetet fizike, sjellja e përgjegjshme në hapësirat digjitale është thelbësore. Kjo përfshin respektimin e privatësisë, shmangien e përmbajtjes së dëmshme dhe angazhimin pozitiv me të tjerët. Praktikimi i qytetarisë së mirë digjitale promovon një mjedis online më të shëndetshëm dhe më të sigurt për të gjithë.
Përdor teknologjinë me përgjegjësi
SIGUROHU QË TË RESPEKTOHEN TË DREJTAT DHE PRIVATËSIA E TË TJERËVE. PËRDOR FJALËKALIME TË FORTA DHE AKTIVIZO AUTENTIFIKIMIN ME DY FAKTORË.
Mos shpërnda të dhëna të ndjeshme si adresat, numrat e telefonit ose informacionin financiar publikisht. Kontrollo dhe përditëso cilësimet e privatësisë në profilet e rrjeteve sociale.
Mbro informacionin personal
Respekto të tjerët në hapësirat digjitale
Shmang gjuhën e urrejtjes dhe bullizmin kibernetik. Angazhohu në diskutime konstruktive dhe dialog të respektuar.
Mëso rreth kërcënimeve të zakonshme si phishing dhe malware. Mos klikoni në linqe të dyshimta ose emaile të panjohura.
Njih dhe parandalo kërcënimet online
Promovo ndërveprime pozitive dhe të shëndetshme
Shmang gjuhën e urrejtjes dhe bullizmin kibernetik. Angazhohu në diskutime konstruktive dhe dialog të respektuar.
Çfarë do të
thotë të jesh
një qytetar i
mirë digjital?
Të dhënat personale janë çdo informacion që mund të identifikojë një individ, si emri, adresa, numri i telefonit, adresa e emailit, të dhënat financiare ose të dhënat e vendndodhjes. Mënyra se si këto të dhëna mblidhen dhe përdoren mund të ndikojë në privatësinë dhe sigurinë tonë.
1. Mbledhja e të dhënave përmes rrjeteve sociale

Rrjetet sociale mbledhin të dhënat që ne publikojmë në profilet tona, përfshirë fotot, informacionin personal dhe postimet. Ato gjithashtu regjistrojnë aktivitetin tonë, si pëlqimet, komentet dhe shpërndarjet.
Informacioni që publikojmë mund të përdoret për të krijuar një profil të detajuar të interesave dhe sjelljeve tona, i cili më pas mund të përdoret për qëllime marketingu ose reklamimi të personalizuar.
2. Mbledhja e të dhënave nga faqet e internetit dhe aplikacionet

Shumë faqe interneti dhe aplikacione përdorin cookies dhe teknologji gjurmimi për të mbledhur informacion rreth sjelljes sonë online, si faqet që vizitojmë, produktet që shikojmë dhe artikujt që blejmë.
Aplikacionet shpesh kërkojnë leje për akses në pajisjen tonë, duke përfshirë të dhënat e kontaktit, vendndodhjen ose kamerën, që mund të çojnë në mbledhjen e informacionit të ndjeshëm pa qenë të vetëdijshëm.
3. Ndjekja e aktivitetit përmes reklamave online

Reklamat online shpesh përdorin “tracking pixels” për të regjistruar ndërveprimet tona me përmbajtjen, si klikimet mbi reklama ose kohën e kaluar në faqe të caktuara. Tracking pixels është një imazh i vogël, shpesh i padukshëm, i integruar në email-e ose faqe interneti për të ndjekur sjelljen e përdoruesve. Kjo ndihmon reklamuesit të krijojnë profile të detajuara të përdoruesve për të shënjestruar reklamat. Gjithashtu platformat e reklamave mbledhin dhe shkëmbejnë të dhëna për të krijuar reklama të personalizuara bazuar në interesat dhe historinë e përdoruesve në internet.
4. Regjistrimi i të dhënave nga pajisjet smart

Pajisjet inteligjente si telefonat, tabletët dhe orët smart mbledhin të dhëna për aktivitetet e përditshme, vendndodhjen dhe madje edhe shëndetin e përdoruesit. Pajisjet e lidhura me internetin në shtëpi (si TV-të smart dhe altoparlantët inteligjentë) gjithashtu regjistrojnë dhe ndajnë të dhëna për përdorimin dhe ndërveprimet me këto pajisje.
5. Rreziqet e mbledhjes së të dhënave pa leje

Aplikacionet e palëve të treta mund të mbledhin dhe ndajnë të dhënat e përdoruesve pa pëlqimin e tyre të qartë. Po kështu mashtrimet online siç është “phishing” mund të përdoren për të mbledhur të dhënat personale duke i mashtruar përdoruesit që të japin informacion të ndjeshëm.
Këshilla për mbrojtjen e të dhënave personale:
- Kontrolloni dhe përditësoni cilësimet e privatësisë në aplikacione dhe rrjete sociale.
- Përdorni shfletues që bllokojnë ndjekjen dhe instaloni mjete për mbrojtjen e privatësisë.
- Bëni kujdes me informacionin që ndani online dhe mendoni dy herë përpara se të jepni të dhëna të ndjeshme.
Rreziqet e shkeljeve të të dhënave dhe keqpërdorimi i informacionit personal
Shkelja e të dhënave ndodh kur informacioni i ndjeshëm personal, si emrat, adresat, numrat e kartave të kreditit, ose të dhënat e shëndetit, ekspozohen ose vidhen nga persona të paautorizuar. Këto incidente mund të kenë pasoja të mëdha për individët dhe organizatat.
1. Pasojat
Vjedhja e identitetit: Të dhënat e ekspozuara mund të përdoren për të krijuar identitete të rreme ose për të hyrë në llogaritë personale dhe financiare të individëve. Kjo mund të shkaktojë dëm financiar dhe dëmtim të reputacionit.
Mashtrimet financiare: Informacioni i vjedhur mund të përdoret për transaksione të paautorizuara, tërheqje fondesh ose krijimin e llogarive të rreme për të marrë kredi në emër të “viktimave”.
Ekspozimi i informacionit të ndjeshëm: Të dhëna shëndetësore, të dhënat e punësimit ose informacioni personal i ndjeshëm mund të bëhen publikë, duke sjellë dëm emocional dhe shkelje të privatësisë.
2. Keqpërdorimi i informacionit personal
Marketingu i paautorizuar: Të dhënat e mbledhura mund të përdoren për të krijuar reklama të shënjestruara pa pëlqimin e individëve, duke ndjekur sjelljen e tyre online.
Përdorimi për shantazh: Në disa raste, të dhënat mund të përdoren për të kërcënuar ose shantazhuar individët, sidomos kur përfshihen informacione të ndjeshme ose kompromentuese.
Sulmet spear-phishing: Informacioni i mbledhur nga shkeljet e të dhënave mund të përdoret për të personalizuar sulmet phishing, duke i bërë më të besueshme dhe të suksesshme.
Mjetet dhe praktikat më të mira për mbrojtjen e privatësisë (fjalëkalime të forta, cilësimet e privatësisë, autentifikimi me dy faktorë).
a. Krijimi i fjalëkalimeve të forta dhe përdorimi i menaxherëve të fjalëkalimeve
Fjalëkalimet e Forta: Krijoni fjalëkalime të përbëra nga shkronja të mëdha dhe të vogla, numra dhe simbole për të rritur sigurinë. Shmangni përdorimin e informacioneve të lehta për t’u hamendësuar, si data e lindjes ose emrat e familjarëve.
Menaxherët e Fjalëkalimeve: Përdorni aplikacione për menaxhimin e fjalëkalimeve që ndihmojnë në krijimin, ruajtjen dhe mbajtjen e tyre të sigurta.
c. Përdorimi i autentifikimit me dy faktorë (2FA)
Çfarë është 2FA: Është një shtresë e dytë sigurie që kërkon një kod të dytë verifikimi përveç fjalëkalimit, zakonisht të dërguar përmes SMS, email ose një aplikacioni të veçantë në telefon.
Përfitimet e 2FA: Rrit ndjeshëm sigurinë e llogarive duke e bërë më të vështirë për sulmuesit që të krijojnë akses.
b. Cilësimet e privatësisë në rrjetet sociale dhe aplikacione
Rregullimi i cilësimeve të privatësisë: Përdorni cilësimet e privatësisë në platformat e rrjeteve sociale për të kontrolluar se kush mund të shikojë postimet dhe informacionin tuaj.
Shqyrtimi i lejeve të aplikacioneve: Kontrolloni se cilat aplikacione kanë akses në të dhënat dhe shërbimet e pajisjes dhe kufizoni aksesin e panevojshëm.
d. Përdorimi i VPN dhe enkriptimi i komunikimeve
VPN (Rrjeti Virtual Privat): Përdorni VPN për të siguruar lidhjen tuaj me internetin, duke e bërë më të vështirë për të tjerët që të ndjekin ose monitorojnë aktivitetin tuaj online.
Enkriptimi i Mesazheve dhe Email-eve: Përdorni aplikacione dhe shërbime që ofrojnë enkriptim nga fundi në fund për të siguruar që komunikimet tuaja të jenë private.
e. Kujdesi me informacionin që ndahet online
Shmangia e ndërgjegjshme e ndërndarjes së të dhënave të ndjeshme: Mos ndani informacione të ndjeshme si numri personal i identifikimit, adresat e shtëpisë ose të dhënat financiare në hapësirat publike online.
Verifikimi i burimeve përpara ndërndarjes së informacionit: Para se të ndani përmbajtje ose lidhje, sigurohuni që të jenë nga burime të besueshme dhe të vërtetuara.

Shembuj: Si të rregulloni cilësimet e privatësisë në platforma të njohura si Facebook, Instagram, etj.
Kontrolloni cilësimet e privatësisë: Shkoni te “Settings & Privacy” > “Privacy Checkup” për të ndjekur hapat për rregullimin e cilësimeve. Kontrolloni ata që mund të shohin postimet, profilin dhe informacionet tuaja.
Menaxhoni cilësimet e postimeve: Sigurohuni që postimet të jenë të dukshme vetëm për “Friends” ose grupe të caktuara dhe jo për “Public.”
Aktivizoni shqyrtimin e “tagging”: Në “Profile and Tagging,” aktivizoni opsionin për të shqyrtuar dhe miratuar etiketimet përpara se të shfaqen në profilin tuaj.
Kufizoni aplikacionet e palëve të treta: Në “Apps and Websites,” hiqni aksesin për aplikacionet që nuk i përdorni më ose nuk u besoni.
Bëjeni profilin privat: Shkoni te “Settings” > “Privacy” dhe aktivizoni opsionin “Private Account” për të kufizuar që vetëm ndjekësit tuaj të mund të shohin postimet dhe “story”.
Kontrolloni historitë dhe mesazhet: Përcaktoni se kush mund të përgjigjet ndaj “story” tuaja dhe bëni të mundur që të merrni mesazhe direkte vetëm nga ndjekësit që njihni.
Menaxhoni etiketimet dhe përmendjet: Në “Tags” dhe “Mentions,” kufizoni që vetëm njerëzit që ju ndjekin të mund të etiketojnë ose të përmendin në përmbajtje.
Shqyrtoni listën e ndjekësve: Hiqni ndjekës që nuk i njihni ose nuk u besoni për të rritur sigurinë e profilit tuaj.
TikTok
Bëni profilin privat: Shkoni te “Privacy” dhe aktivizoni “Private Account” për të kufizuar aksesin vetëm për ndjekësit e aprovuar.
Kontrolloni komentet dhe mesazhet: Në “Privacy” > “Comments” dhe “Direct Messages,” kufizoni që vetëm miqtë ose askush tjetër të mos mund të komentojë ose të dërgojë mesazhe.
Menaxhoni Duet dhe Stitch: Kufizoni që vetëm miqtë ose askush tjetër të mund të bëjë Duet ose Stitch me videot tuaja.
Siguria kibernetike
Llojet e kërcënimeve kibernetike (phishing, malware, ransomware, vjedhja e identitetit)
Phishing: Mashtrime që synojnë t’i bindin përdoruesit të japin informacione të ndjeshme, si fjalëkalime ose të dhëna bankare, duke përdorur emaile ose website të rreme.
Malware: Softuer i dëmshëm që mund të infektojë pajisjet dhe të vjedhë të dhënat ose të dëmtojë sistemin. Llojet përfshijnë viruse, spyware dhe ransomware.
Njohja dhe shmangia e mashtrimeve të llojit phishing

Shenjat paralajmëruese: Mesazhe që kërkojnë veprim të menjëhershëm, gabime drejtshkrimore ose linqe të dyshimta.
Shembuj praktikë: Shfaqja e disa emaileve ose mesazheve phishing dhe identifikimi i elementëve që i bëjnë të duken të rrezikshme.
Masat për parandalim: Verifikimi i adresës së dërguesit dhe përdorimi i mjeteve për bllokimin e phishing.
Ransomware: Kërcënim që bllokon aksesin në pajisje ose të dhëna, duke kërkuar një shpërblim për t’i rikthyer ato.
Vjedhja e identitetit: Përdorimi i të dhënave personale të vjedhura, kryer mashtrime financiare ose për të hyrë në llogari të tjera.
Sigurimi i pajisjeve dhe llogarive (firewalls, programe antivirus, përditësimi i sistemeve)

Antivirus dhe firewalls: Instaloni dhe përditësoni programe antivirus dhe firewalls për të mbrojtur pajisjet.
Përditësimi i sistemeve: Mbani të përditësuar sistemet operative dhe aplikacionet për të parandaluar shfrytëzimin e dobësive të sigurisë.
Autentifikimi me dy faktorë: Aktivizoni 2FA për të mbrojtur llogaritë, duke shtuar një hallkë sigurie përveç fjalëkalimit.
Praktikat më të mira për mbrojtjen e informacionit dhe pajisjeve
Fjalëkalime të vështira dhe unike: Përdorni menaxherë fjalëkalimesh dhe fjalëkalime të ndryshme për çdo llogari
Antivirus dhe përditësime: Mbani sistemet dhe programet antivirus të përditësuara.
Autentifikimi me dy faktorë: Aktivizoni 2FA për mbrojtje shtesë në llogaritë kryesore.
Kujdesi me ndarjen e të dhënave: Shmangni shpërndarjen publike të informacionit të ndjeshëm dhe rregulloni cilësimet e privatësisë.
Çfarë është bullizmi kibernetik? Si ndryshon nga bullizmi tradicional?
Përkufizimi i bullizmit kibernetik: Sjellje të dëmshme dhe agresive që ndodhin përmes teknologjisë, siç janë mesazhet fyese, shpërndarja e fotografive intime, ose përhapja e thashethemeve.
Dallimet nga bullizmi tradicional: Ndryshe nga bullizmi fizik, bullizmi kibernetik mund të ndodhë kudo dhe në çdo kohë, duke e bërë të vështirë për të bullizuarin që të shmangë ngacmimin.
Forma të zakonshme të ngacmimit digjital (trolling, doxxing)
Trolling: Trolling i referohet sjelljes së qëllimshme për të provokuar, irrituar, ose ngjallur reagime emocionale nga njerëzit në hapësirat online, si forume, rrjete sociale, apo komentet e artikujve. Personat që kryejnë këtë veprim, të njohur si “trolls,” shpesh përdorin komente agresive, fyese, ose provokuese për të nxitur debate ose konflikte.
Trolling mund të shfaqet në forma të ndryshme, duke përfshirë:
- Komente ofenduese për të nxitur zemërim ose për të shkaktuar një reagim të ashpër
- Nxitja e argumenteve duke postuar përmbajtje të polarizuar ose të kundërt me opinionet e grupit
- Mashtrimi ose përhapja e dezinformatave për të ngatërruar njerëzit ose për të shpërndarë lajme të rreme
Shembull:
Imagjinoni një forum online ku njerëzit diskutojnë për mbrojtjen e ambientit dhe ndryshimet klimatike. Në këtë kontekst, një troll mund të postojë një koment të tillë: “Ngrohja globale është një gënjeshtër e madhe! Nuk ka asnjë provë shkencore që po ndodh diçka e tillë. Njerëzit janë thjesht naivë.”
Ky koment është provokues dhe i krijuar për të nxitur reagime të ashpra, duke ditur se tema është e ndjeshme dhe shumë njerëz kanë qëndrime të forta për çështjen. Trolling-u i tillë shpesh shpërqendron vëmendjen nga diskutimi konstruktiv dhe mund të prishë atmosferën e bisedës.
Doxxing: Doxxing është veprimi i publikimit të informacionit personal të dikujt, si emri i plotë, adresa, numri i telefonit, adresa e emailit ose të dhënat e tjera sensitive, pa pëlqimin e personit. Qëllimi i këtij veprimi zakonisht është ekspozimi i personit ndaj rrezikut, ngacmimit, ose kërcënimeve. Doxxing mund të ndodhë për motive të ndryshme, si hakmarrja, intimidimi, ose përpjekja për t’i bërë presion dikujt.
Shembull:
Imagjinoni që një aktivist politik shfaq qëndrime të forta në lidhje me një çështje të ndjeshme dhe shprehet hapur në rrjetet sociale. Një grup njerëzish që nuk pajtohen me opinionet e tij vendosin të bëjnë doxxing duke zbuluar dhe postuar në internet adresën e tij të shtëpisë dhe numrin e telefonit, me qëllim që të tjerët ta ngacmojnë ose kërcënojnë. Ky veprim e vë aktivistin në një pozicion të rrezikshëm, duke i shkaktuar stres dhe frikë për sigurinë e tij dhe të familjes.
Shpifja: Shpifja është veprimi i përhapjes së informacioneve të rreme me qëllimin për të dëmtuar reputacionin e një personi. Shpifja mund të ndodhë në dy forma: “libel” që është shpifja e shkruar, dhe “slander,” që është shpifja e folur. Në të dyja rastet, informacioni i përhapur është i pavërtetë dhe ka për qëllim të dëmtojë personin e përfolur.
Shembull:
Një individ në një forum online shpërndan një postim ku pretendon se një mjek i njohur ka kryer veprime të paligjshme në trajtimin e pacientëve të tij, duke e quajtur atë mashtrues dhe të papërgjegjshëm. Në fakt, këto akuza janë plotësisht të rreme dhe nuk kanë asnjë bazë reale. Për shkak të kësaj shpifjeje, reputacioni i mjekut mund të dëmtohet rëndë, duke sjellë humbje të pacientëve dhe dëmtim të karrierës.
Efektet psikologjike dhe emocionale mbi viktimat

Ndjenja e izolimit: Viktimat e bullizmit kibernetik shpesh ndihen të izoluara dhe të shkëputura nga miqtë, familja dhe komuniteti i tyre. Ngacmimi i vazhdueshëm online i bën të ndihen të vetmuar dhe të pa mbështetje. Ky izolim mund të përkeqësohet për shkak se bullizmi kibernetik mund të ndodhë në çdo kohë, pa mundësi për të “shmangur” siç mund të ndodhë në rastet e bullizmit tradicional.
Ankthi dhe depresioni: Sulmet e vazhdueshme dhe komentet negative në internet mund të shkaktojnë ndjenja të thella ankthi dhe depresioni te viktimat, të cilat mund të përjetojnë frikë dhe stres për t’u përballur me botën online. Ndjenja e pafuqisë dhe e dëshpërimit mund të ndikojë negativisht në shëndetin mendor dhe në përballimin e përditshëm të situatave.
Stresi kronik dhe traumatizimi: Në raste të rënda, bullizmi kibernetik mund të shkaktojë simptoma të stresit post-traumatik (PTSD), ku viktimat përjetojnë rishfaqje të ngjarjeve, frikë të vazhdueshme dhe vështirësi në përballimin e situatave sociale ose emocionale.
Dëmtimi i Reputacionit

Shpifje dhe përhapja e thashethemeve: Në rastet kur bullizmi përfshin shpifje ose përhapjen e thashethemeve të rreme, reputacioni i viktimës mund të dëmtohet rëndë. Ky dëmtim mund të ketë ndikim të gjatë dhe të vështirë për t’u riparuar, duke prekur marrëdhëniet personale dhe mundësitë profesionale të viktimës.
Shfaqja e materialeve kompromentuese: Nëse bullizmi përfshin ndarjen e fotove ose videove kompromentuese, këto përmbajtje mund të mbeten përgjithmonë online, duke dëmtuar imazhin e viktimës në mënyrë të vazhdueshme. Viktima mund të të përballet me paragjykime të padrejta nga të tjerët për shkak të materialeve të shpërndara.
Shfaqja e problemeve me vetëbesimin
Ulje e vetëvlerësimit: Komentet fyese dhe kritikat e vazhdueshme mund të ndikojnë ndjeshëm në vetëbesimin e viktimës, duke e bërë atë të ndihet më pak e vlerësuar ose më pak e aftë.
Ndikimi në performancën akademike dhe sociale: Vetëbesimi i ulët dhe ndjenja e turpit mund të ndikojnë në performancën e viktimës në shkollë ose punë, duke shkaktuar vështirësi në përqendrim dhe në përballimin e situatave të përditshme. Viktima mund të shmangë takimet sociale ose të tërhiqet nga shoqëria për të mos u përballur me ngacmimin.

Udhëzues mbi raportimin, bllokimin dhe kërkimin e ndihmës në platforma të ndryshme.
Raportimi: Klikoni mbi tre pikat (…) në postimin ose komentet ngacmuese dhe zgjidhni “Find support or report post.” Ndiqni udhëzimet për të raportuar përmbajtjen si ngacmuese ose fyese.
Bllokimi: Shkoni te profili i personit dhe klikoni mbi “Friends” ose “Following,” pastaj zgjidhni “Block” për të ndaluar komunikimin dhe qasjen e tyre në profilin tuaj.
Kërkimi i Ndihmës: Vizitoni “Help Center” për të mësuar më shumë mbi opsionet e sigurisë dhe privatësisë ose për të kërkuar mbështetje nga ekipi i Facebook.
Raportimi: Në postimin, mesazhin direkt ose komentin ngacmues, klikoni mbi tre pikat dhe zgjidhni “Report.” Zgjidhni arsyen e raportimit si bullizëm ose ngacmim.
Bllokimi: Shkoni te profili i personit, klikoni mbi tre pikat dhe zgjidhni “Block” për të ndaluar ndërveprimin me ju.
Kërkimi i Ndihmës: Përdorni “Help Center” të Instagram për të mësuar më shumë mbi raportimin e përmbajtjeve dhe mbrojtjen e profilit.
TikTok
Raportimi: Në video ose koment, klikoni mbi ikonën e raportimit dhe zgjidhni arsyen për raportim si përmbajtje ngacmuese ose fyese.
Bllokimi: Në profilin e personit, klikoni mbi tre pikat dhe zgjidhni “Block” për të parandaluar që personi të ndërveprojë me ju.
Kërkoni ndihmë: Përdorni “Support Center” për të mësuar mbi opsionet e raportimit dhe mbrojtjen e sigurisë.
Gjuha e urrejtjes dhe etika digjitale
Gjuha e urrejtjes është çdo përmbajtje që nxit dhunë, diskriminim ose urrejtje ndaj një grupi të caktuar njerëzish për shkak të racës, etnisë, fesë, gjinisë, orientimit seksual, ose përkatësive të tjera. Kjo përfshin komente fyese, thirrje për dhunë, dhe përmbajtje që synon të përçmojë ose të poshtërojë individët ose grupet.
Njohja e përmbajtjes dëmtuese dhe raportimi i saj
Shembuj: Postime ose komente që përdorin fjalë ofenduese, simbole të urrejtjes, ose përhapin stereotipe negative kundër grupeve të caktuara.
Pasojat e gjuhës së urrejtjes online
Dëmtimi emocional: Gjuha e urrejtjes mund të shkaktojë trauma, stres, dhe të përkeqësojë shëndetin mendor të individëve që përballen me të.
Përçarja sociale: Përhapja e urrejtjes online ndikon negativisht në bashkëjetesën sociale dhe mund të kontribuojë në polarizimin e shoqërisë.
Nxitja e dhunës: Në raste të rënda, gjuha e urrejtjes mund të çojë në akte dhune dhe krime të bazuara në urrejtje ndaj grupeve të caktuara.
Si të njohim dhe të raportojmë gjuhën e urrejtjes?
Identifikimi i përmbajtjeve të dëmshme: Kërkoni fjalë ose simbole ofenduese, thirrje për dhunë, dhe përmbajtje që inkurajon diskriminimin.
Raportimi në platforma sociale: Përdorni opsionet e raportimit të rrjeteve sociale për të njoftuar administratorët mbi përmbajtjen e urrejtjes dhe për të kërkuar heqjen e saj.
Mbështetja për viktimat: Nëse jeni dëshmitarë të gjuhës së urrejtjes, ofroni mbështetje për ata që janë prekur dhe përfshihuni në ndërhyrje pozitive.
Promovimi i etikës digjitale dhe ndërveprimeve pozitive
Rëndësia e empatisë dhe dialogut të respektuar: Kur komunikoni online, respektoni të tjerët dhe përpiquni të kuptoni perspektivat e ndryshme. Empatia është një element kyç për të ndihmuar në krijimin e një mjedisi më të shëndetshëm online.
Etika në komunikimin online: Përdorni gjuhë të përgjegjshme dhe të respektueshme, shmangni përhapjen e dezinformatave dhe mos kontribuoni në përmbajtje që mund të nxisë konflikt ose urrejtje.

Përfitimet dhe rreziqet e përdorimit të rrjeteve sociale
Përfitimet: Rrjetet sociale mundësojnë ndarjen e njohurive, ndërtimin e lidhjeve të reja dhe promovimin e kauzave të rëndësishme. Ato lehtësojnë komunikimin dhe bashkëpunimin në distancë, duke krijuar mundësi për rritje personale dhe profesionale.
Rreziqet: Mund të përfshijnë ngacmime, përhapje të dezinformatave dhe cenim të privatësisë. Përdorimi i pakujdesshëm i rrjeteve sociale mund të çojë në shpërndarjen e gabuar të informacionit personal dhe keqpërdorimin e të dhënave.
Menaxhimi i gjurmës digjitale
Çfarë është gjurma digjitale? Gjurma digjitale përfshin të gjitha informacionet që lihen pas kur përdorni internetin, siç jane; postimet, komentet, pëlqimet dhe shpërndarjet.
Si të menaxhoni gjurmën digjitale?
- Rishikoni rregullisht postimet dhe pëlqimet tuaja për të siguruar që nuk pëfshijnë përmbajtje të papërshtatshme ose sensitive.
- Përdorni cilësimet e privatësisë për të kontrolluar se kush mund të shohë informacionin dhe aktivitetet tuaja.
- Fshijini përmbajtjet e vjetra ose të panevojshme
Ndërtimi i komuniteteve pozitive dhe konstruktive
Moderimi i komunitetit: Promovoni një dialog etik duke moderuar komentet dhe përmbajtjet për të shmangur ngacmimet, gjuhën e urrejtjes ose përmbajtjet fyese.
Inkurajimi i ndërveprimeve pozitive: Nxitni diskutime të hapura dhe me respect të ndësjelltë, duke inkurajuar anëtarët e komunitetit të ndajnë mendime dhe përvoja në mënyrë konstruktive.

Lundrimi në platformat digjitale në mënyrë të sigurtë
Vlerësimi i burimeve të besueshme të informacionit në platformat digjitale
Si të vlerësoni burimet? Kontrolloni nëse informacioni vjen nga një burim i njohur dhe i respektuar. Verifikoni autorësinë dhe datën e publikimit për të siguruar që përmbajtja është e saktë dhe e përditësuar.
Shmangni përhapjen e informacioneve të pakonfirmuara: Sigurohuni që informacioni të jetë verifikuar përpara se ta ndani. Kërkoni burime të shumta që mbështesin të njëjtën fakt të rëndësishëm.
Angazhimi i përgjegjshëm me përmbajtjen
Shmangia e përhapjes së dezinformatave dhe teorive konspirative: Para se të ndani një postim ose artikull, kontrolloni nëse përmban fakte të mbështetura dhe burime të besueshme.
Ruajtja e integritetit në ndërveprimet online: Komunikoni me respekt dhe shmangni përdorimin e gjuhës së urrejtjes ose të përmbajtjeve fyese. Përqendrohuni në diskutime konstruktive dhe të dobishme.
Etika në forume online, komunitete dhe platforma bashkëpunuese
Angazhimi në biseda etike dhe të kuptueshme: Respektoni rregullat e forumit dhe tregoni respekt për mendimet e të tjerëve, edhe nëse nuk pajtoheni me to.
Ndihma për krijimin e një mjedisi pozitiv dhe mbështetës: Ndërhyni kur shihni ngacmime ose gjuhë urrejtjeje dhe raportoni përmbajtjen e papërshtatshme për të mbajtur komunitetin të sigurt.

Moduli 1: Edukimi per Median dhe Informacionin

Moduli 2: Edukimi mbi median dhe informacionin dhe të menduarit kritik

Moduli 3: Kërkimi, Shqyrtimi dhe Verifikimi i Informacioni
